“Komuna e Parisit”, serial i ri në Top Channel
Altin Basha: Telenovela, një copëz jetë nga Tirana
Nga Express më 27.08.2009 në ora 12:10
Prej muajsh një staf profesionistësh ka nisur punën. Për herë të parë
"Top Channel" tenton të realizojë një serial televiziv tërësisht
shqiptar. Një telenovelë që e vendos ngjarjen në një lagje të Tiranës,
në të cilën një grup të rinjsh ndërtojnë e jetojnë të përditshmen e
tyre, në një kapërthim karakteresh, por edhe problemesh sociale.
Skenari i Erand Sojlit sjell kështu një të vërtetë shqiptare, që për
herë të parë do të realizohet në formatin "sitcom".
Titullohet "Komuna e Parisit". Gjashtë të rinj, tri vajza dhe tre djem,
të cilët studiojnë, por edhe punojnë njëkohësisht, jetojnë në
apartamente me qira në të njëjtin pallat. E gjithë historia, mbi bazën
e së cilës janë ndërtuar 20 seri, vërtitet rreth marrëdhënies së tyre
të përditshme, nevojat sociale dhe problemet që rrjedhin nga
marrëdhëniet mes tyre, por edhe më gjerë me komunitetin ku jetojnë.
"‘Top Channel‘ për herë të parë tenton një realizim të tillë, që i ka
të gjitha elementet e duhura për një format televiziv, por edhe
kinematografik: dramaturgjinë, një subjekt rinor, interpretimin,
aktorët dhe të gjitha elementet e tjera të imazhit, për të krijuar një
lloj produkti, i cili do të dalë shpejt në transmetim e do të krijojë
audiencën e tij", shprehet Dritan Huqi, drejtor i prodhimit.
Në këtë serial, ku nuk do të mungojnë edhe fenomenet sociale që ndeshen
shpesh në komunitete të tilla ku ndërthuren mentalitete e karaktere të
ndryshme, nuk do të mungojnë as situata komike. Por drejtori i
prodhimit, Huqi, duke dashur të shmangë keqkuptimet, saktëson se nuk
bëhet fjalë për një komedi, por për një format rinor, për realizimin e
të cilit është investuar shumë.
"Këto janë produkte që televizionet e mëdha të botës i prodhojnë,
ndërsa në të tjerë blihet. Me parametrat që "Top Channel" ka
aktualisht, i mungonte prodhimi i një formati të tillë. Ndërsa audienca
dhe suksesi i të gjitha produkteve që ky televizion ka arritur në
transmetimet e mëparshme, është garancia e parë se edhe ky realizim i
ri do të pritet mirë", thekson Huqi. Aktorët e zgjedhur për interpretim
janë të rinj, disa të sapodiplomuar.
Ndërkohë që në pjesën më të madhe të tyre, xhirimet po realizohen në
studiot e "Top Channel", të përshtatura posaçërisht për këtë serial, me
skenografi të Mikael Dritës. Kostumet janë realizuar nga Iliriana
Basha, drejtor i fotografisë është Valter Qarri dhe regjisor televiziv
Elton Papuçiu. I gjithë ky staf njerëzish për një kohë relativisht të
gjatë, rreth 4 muaj, janë në punë e sipër që të përmbledhin gjithë
vizionin që përcjell skenari në një telenovelë argëtuese dhe tërheqëse
për publikun. Në realizim e sipër është seria e 12-të.
Në divanin e kuzhinës, djali dhe vajza po përjetojnë një intimitet të
heshtur. Ai me sytë e ngulur në një film që e sheh në laptop, ndërsa
ajo, paksa lozonjare, kërkon të fitojë vëmendjen e tij. Duhet vetëm një
çast që djali të shpërthejë në një pasion dashurie, ndërsa vajza
tërhiqet, me një shprehje të trembur. Ajo është e virgjër. Në këtë
komunikim të mbushur me batuta, por edhe situata komike, regjisori
Altin Basha kalon nga një dubël në tjetrën. Ashtu si edhe në realizime
të tjera, ky do të jetë në parametra të lartë teknikë.
"Xhirimet janë të vendosura në studiot e ‘Top Channel‘ dhe po punohet
me teknologjinë më të lartë. Për këtë televizion, cilësia është një gjë
e padiskutueshme. Flasim jo vetëm për cilësi në teknologji, por në të
gjitha raportet njerëzore, nivelin e produksionit, me trajtimin dhe
kushtet e realizimit. Gjithçka fillon dhe diskutohet mbi nivelin e
cilësisë maksimale, flitet për elemente që shkojnë në përsosje",
shprehet drejtori i prodhimit, Dritan Huqi.
Me ritmin që po punohet për xhirimet pritet që të mbarojnë nga gjysma e
muajit shtator. Ndërkohë që mendohet se në tetor mund të jetë gati për
transmetim. Për gjithë stafin kjo është prova e parë për realizimin e
një formati të tillë televiziv, i cili me shumë gjasa do të vazhdojë me
seri të tjera në të ardhmen.
"Ky projekt është ende në fazën eksperimentale, sepse po prodhohen
vetëm 20 seri. Me nisjen e transmetimit, duke parë edhe pritshmërinë e
publikut ndaj këtij formati të ri që ‘Top Channel‘ u propozon, mendoj
se do të krijohet gjithë infrastruktura e nevojshme që ky serial
televiziv të vazhdojë e të krijojë një audiencë të tijën të
përhershme", thekson Huqi. Puna e bërë deri më tani siguron se publikut
shumë shpejt do t‘i ofrohet një serial tërësisht televiziv shqiptar, i
realizuar në parametrat më të lartë të teknologjisë.
- Shqip